Arapi: Rezultati i Tiranës gënjen, Skënderbeu duhet përgëzuar se po merr mundimin të organizohet

Renato Arapi, mbrojtësi dhe njëkohësisht kapiteni i Teutës, mendon se ndeshja e parë ndaj Bylisit, edhe pse ndaj një kundërshtari jo mes pretendentëve të Superiores, ka treguar sinjalet e para pozitive për klubin durrsak. Në “Rubrika Sportive”, ai foli edhe për rivalitetin në këtë kampionat dhe atë që pret nga situata e Skënderbeut.

Dueli mes Kukësit dhe Partizanit – “E dinim që janë ndeshje të cilat ndaheshin nga episode, në këtë rast një penallti e evitueshme sipas mendimit tim. Kukësi me sa e kam ndjekur, nga pjesa e mesfushës e lart ka shumë cilësi”.

Gjendja e Tiranës – “Nga afrimet që ka bërë Tirana, duket pretendente për kampione, Në ndeshjet e fundit që e kemi ndjekur, si ajo miqësorja me Bylisin, apo edhe kjo me Luftëtarin, rezultati të gënjen te kjo e fundit. Besoj që kanë akoma nevojë për konsolidim e shpresoj ta shfrytëzojmë meqë jemi ndeshje direkte me ta”.

Paraqitja e Teutës – “Gjithmonë ndeshjet e para kanë rëndësi se duhet rezultati. Por ne treguam agresivitet, krijuam raste, shpresojmë të jetë ogur i mirë për ndeshjet e radhës. Për vetë objektivat që ka klubi, që është minimumi vendi i tretë, ishte shumë e rëndësishme, aq më tepër nga pritshmëritë nga drejtuesit dhe tifozët ishin të larta se ka pasur ndryshime në përbërje. Lojtaret që kanë ardhur janë cilësorë e djem të mirë, kemi një grup që na jep shumë besim për të ardhmen”.

Gjendja e Skënderbeut – “Me vjen keq, aq më shumë kur isha unë ndeshjet me flamurtarin ishin si derbi. Ata janë për t’u përgëzuar për faktin se kanë marrë mundimin që po organizohen edhe pse vonë. Me sa di unë kanë një shans tjetër në gjykatë në Zvicër. Unë te Skënderbeu? Unë u habita vetë kur e pashë në media, as nuk kam pasur kontakt nga klubi sidomos tani që jam kapiteni i Teutës”,  tha Arapi. /vipsport.al/