Akuza dhe kundërakuza, trajneri i Sherif: Edhe Lerda sillej miqësisht me vëzhguesin italian

Ndeshja e Partizanit ndaj Sherif Tiraspol është mbyllur mes polemikash ët shumta dhe akuzave të të kuqve se gjyqtari kroat kishte ndikuar ndjeshëm në rezultatin e sfidës mes dy ekipeve që u mbyll me shifrat 1-1 pas një goli në pozicion jashtë loje për vendasit. Trajneri Franko Lerda la të kuptohej se nuk kishte qenë aq i lumtur me faktin që trajneri i Sherif, kroati Zoran Zekiç, kishte komunikuar vazhdimisht me gjyqtarin kroat Igor Pajac, i cili ishte ai që ktheu vendimin e vijërojtësit për golin në pozicion jashtë loje.

Vetë Zekiç, në konferencë për shtyp është kundërpërgjigjur duke pranuar se njihte gjyqtarin falë viteve të tij në Kroaci, ndërsa ka sulmuar Lerdën për faktin se kishte njohje me vëzhguesin italian të gjyqtarëve.

“Nuk e mohoj që arbitrin e njoh, njerëzit njihen kur punojnë bashkë në të njëjtin vend. Unë kam qenë disa vite trajner në Kroaci dhe ai drejton atje ndeshje. Por un e kam pjesë timen sjelljen korrekte. Edhe trajnerin italian të Partizanit e pashë shumë miqësor me vëzhguesin e arbitrave Trenatalanxh”, tha Zekiç.

Dy trajnerët nuk u takuan në fushë pas përfundimit të sfidës, por në ambientet e brendshme të stadiumit duke lënë pas tensionin e 90 minutave në Tiraspol. Zekiç pranoi se futbolli i treguar nga Partizani e kishte çuditur në këtë sfidë.

“Nuk e prisja një Partizan të tillë. I kisha studiuar ndeshjet që kishte bërë dhe ata kanë luajtur vetëm në mbrojtje, sidomos në Baku. Më habiti fakti që mund të luanin në sulm e të na rrezikonin, hodhën lojtarë të tjerë në fushë dhe skuadra e tyre bëri gjëra që më surprizuan”, pranoi trajneri korat. /vipsport.al/