Zidan pa “dorashka”: Po punojmë për largimin e Bejl, shpresoj të ikë sa më shpejt

Real Madridi humbi në miqësore ndaj Bajernit me rezultatin 3-1, ndërkohë që nga stoli e ndoqi këtë takim Gareth Bejl i cili duket se nuk është më në planet e skuadrës. Në përfundim të takimit, ka folur trajneri Zidan i cili shprehet se Bejl do të largohet nga skuadra dhe se po punohet për këtë gjë.

Ai u shpreh se klubi është duke punuar për këtë gjë dhe se sa më shpejt të largohet, aq më mirë do të ishte për të dyja palët. Vetë Zidan, pak ditë më parë u shpreh se mes tij dhe Bejl, nuk ka ndryshuar asgjë që nga qershori, kohë në të cilën marrëdhënia mes tyre nuk ishte në nivelet më të mira.

“Ai nuk ishte pjesë e skuadrës sepse klubi po punon për largimin e tij dhe për këtë arsye nuk luajti. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme dhe për të mirën e të gjithëve, shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ai po diskuton me klubin në mënyrë që të largohet nga këtu.

Situata do të ndryshojë dhe është mirë për të gjithë. nuk kam asgjë personale kundër Bejlit, por duhet të bësh zgjedhje për të ndryshuar situatat dhe kjo është e gjitha. Je në një pikë, ku duhet të ndryshosh gjëra dhe nuk e di nëse do të ndodhë për 24 orë apo 48 orë”, tha Zidan. /Erjon Allaraj-VipSport.al/