Viktima e parë nga fitorja e Edi Rejas, rivalët shkarkojnë trajnerin

Një nga rivalët e Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2020, Moldavia, ka larguar nga detyra këtë javë trajnerin e saj të përfaqësueses. Shkak është bërë disfata 2-0 e pësuar në Shqipëri nga përfaqësuesja moldave e cila praktikisht i ka mbyllur hesapet me kualifikimin thuajse që tani e duhet të mendojë për një cikël të ri për edicionin e ardhshëm.

Konfirmimi ka ardhur dy ditë më parë, kur pas një mbledhje në Federatën Moldave është vendosur që të shkarkohet Aleksander Spiridon dhe në vend të tij si trajneri i përkohshëm të emërohet Semen Altman.

“U takuam me Spiridon pas ndeshjes me Shqipërinë dhe diskutuam situatën e ekipi. Pastaj zhvilluam mbledhjen e komitetit të trajnerëve të federatës që nxori një konkluzion negativ të punës së kombëtares. Ne ishim të gjithë dakord që trajneri u mundua që të krijonte një ekip, të arrinte rezultate, por dështoi,. Ndaj ne ndërpremë marrëdhëniet me të dhe i urojmë sukses”, tha presidenti i Federatës Moldave, Leonid Oleinçenko për mediat në vend. /vipsport.al/