VIDEO / Interi fiton miqësoren, por i shënon ish-futbollisti i Dritës

Prova e parë e Interit nën drejtimin e Antonio Kontes përfundon me sukses, me një fitore 2-1 përballë Luganos, skuadrës zvicerane e cila përgatitet që të fillojë sezonin javën e ardhshme dhe që është shumë para sa i përket formës fizike sesa zikaltërit që janë vënë pak ditë më parë nën urdhrat e trajnerit të ri.

Interi u paraqit me një rreshtim 3-5-2 të sajuar pa sulmues të mirëfilltë, për shkak të largimit të Ikardit apo mungesës së Martinez si rrjedhojë e pushimeve të gjata për pjesëmarrjen në Kupën e Amerikës. Por gjithsesi zikaltërit dukeshin mjaft të organizuar në lojën e tyre dhe ia dolën që të shënonin dy herë në pjesën e parë me Sensin dhe Brozoviç, duke vulosur shifrat në 2-0 para pushimit të ndeshjes.

Në pjesën e dytë, ashtu siç ishte e pritshme për Interin, u kryen shumë zëvendësime, me ekipin e dytë apo të rinjtë që u zunë vendin shumë prej titullarëve. Por në fund, skuadra e Interit u godit nga një kundërsulm i shpejtë i Luganos, i finalizuar nga 20-vjeçari Leotrim Kryeziu. Ish-futbollisti i Dritës në Superligën e Kosovës ka kaluar në radhët e zviceranëve që prej dy vitesh dhe sot ishte protagonist i kësaj ndeshje që me siguritë do t’i japë më shumë besim për të ardhmen. /vipsport.al/