VIDEO/ Inter firmos me talentin e mesfushës, Barela: Jam shumë i lumtur

Klubi i Interit ka mbyllur mbrëmjen e djeshme transferimin e mesfushorit, Nikolo Barela. 22-vjeçari vjen si një përforcim nga Kaljari, ndërkohë që për të interesohej edhe Roma. Megjithatë, këmbëngulja e drejtorit sportiv Marota, por edhe pëlqimi i Barelës për t’u transferuar në Milano ishin vendimtare.

Mesfushori, në sezonin e kaluar shkëlqeu teksa tashmë është kthyer në një element të rëndësishëm edhe për Kombëtaren italiane. Për lojtarin, klubi i Interit duhet të paguajë në total 45 milionë euro. Mirëpo, fillimisht zikaltërit kanë të drejtën e huazimit për 12 milionë euro, ndërsa më pas do të paguajnë edhe 25 të tjera për dy vite.

Ndërkohë, 8 milionë do të jenë në formën e bonuseve. Në këtë mënyrë, Barela do të vihet nën urdhrat e Kontes, ndërsa ka mbërritur në Milano për vizitat mjekësore. Sapo shkeli në Milano, të shumtë ishin njerëzit që e prisnin, ndërsa mesfushori preferoi të mos fliste gjatë, megjithatë i shprehu të gjitha me fjalinë, “ Jam shumë i lumtur”. /Egi Çabeli-VipSport.al/