VIDEO / Higuain kundër Ronaldos, sprinti i dy sulmuesve pushton rrjetet sociale

Juventusi ka nisur prej disa ditësh stërvitjet për sezonin e ri dhe në radhët e bardhezinjve, në pritje për të mësuar fatin e tij është edhe Gonzalo Higuain. Shpeshherë flitet se Higuain është një ndër të preferuarit e Mauricio Sarrit dhe se trajneri do të preferonte që ai të qëndronte te bardhezinjtë.

Por ka mjaftuar një video e postuar në rrjetet sociale nga klubi i Juventusit gjatë ditës së sotme që të gjithë tifozët e kësaj skuadre të kërkojnë në kor largimin e Higuain. Bardhezinjtë dëshironin të tregonin se si sulmuesit e bardhezinjve po përgatiten për sezonin e ri, duke hedhur në rrjet një video ku shiheshin me radhë të bënin sprint Higuain dhe Kristiano Ronaldo.

Argjentinasi dukej qartësisht se ishte jashtë forme fizike dhe i ngathët në lëvizjet e tij, me tifozët që e kanë masakruar me komente nga më të ndryshmet, por duke bërë të qartë gjithsesi se për ta ai mbetej i padëshiruar, sidomos në kushtet aktuale fizike. /vipsport.al/