VIDEO / Hemilton fiton në Silverston dhe vendos rekord, por spektaklin e bëjnë të tjerët

Luis Hemilton fitoi sot Çmimin e Madh të Britanisë në Formula 1, duke vendosur një rekord të ri, pasi u bë i pari që siguron për të 6-tën herë trofeun në pistën e Silverston. Në garën e shtëpisë, britaniku kaloi shokun e skuadrës, Valteri Botas, falë një strategjie me makinën e sigurisë, ndërsa pas tyre u rendit Leklerk, i ndihmuar nga një përplasje e Fetel me Verstapen.

Hemilton kaloi shokun e tij të skuadrës, Valteri Botas, duke zgjatur qëndrimin në pistë për ndërrimin e parë të gomave, lëvizje që rezultoi thelbësore sidomos pasi një makinë sigurie hyri në pistë disa xhiro pasi Botas kishte bërë ndërrimin e vet. Kjo i dha hapësira Hemilton të shkonte i qetë drejt finishit, ndërsa Botas u detyrua të hynte edhe një herë në bokse për të ndërruar gomat pasi nuk kishte përdorur një nga setet e detyrueshme.

Leklerk përfundoi i treti pas një gare dramatike për vendin e fundit në podium. Francezi i Ferrarit fillimisht dhuroi një duel spektakolar me Verstapen, i cili e kaloi në vijën e bokseve, por ia dorëzoi përsëri vendin pas një serie mbresëlënëse parakalimesh e shkëmbimesh pozicioni. Ferrari gaboi duke mos futur Leklerk me makinën e sigurisë dhe kjo e ktheu pilotin më vonë në vendin e 6 në pistë, ndërsa Fetel mbante të tretin pasi kishte përdorur të nëjjtën strategji me Hemilton.

Dueli Leklerk-Verstapen u ringjall, këtë herë për vendin e 5, me pilotët që u përplasen në piste, duke ndryshuar disa herë pozicionet, por me holandezin që i mbijetoi çdo sulmi. Ai më pas kaloi shokun e skuadrës, Gasli, e shkoi të sulmonte Fetel. Dueli i tij këtë radhë u bë shumë më agresiv dhe ai ia doli të kalonte Ferrarin, por gjermani gaboi në frenim dhe u përplas me të, duke nxjerrë të dy makinat jashtë gare për podiumin.

Ndërkohë, Leklerk kaloi Gasli dhe mori vendin e tretë, ndërsa Verstapen arriti të kthehej në pistë për të marrë vendin e 5-të. Sainz mori vendin e 5 për MekLaren, ndërsa pas tij me radhë në zonën e pikëve ishin edhe RIçiardo, Raikonen, Kviat dhe Hulkenberg. Në xhiron e fundit, Hemilton regjistroi edhe kohën më të mirë, duke marrë pikën ekstra që të garanton ajo dhe çoi në 39 pikë diferencën e tij me Botas që e ndjek në klasifikimin e Botërorit. /vipsport.al/