VIDEO / Fushata e abonimeve mbledh nga Maradona te Reja e Hysaj, por Napoli “harron” Sarri e Higuain

Askush nuk mund të tradhtojë Napolin pasi përndryshe është një i “harruar” në këtë qytet e nga ky klub. Ky është mesazhi i qartë që ka dërguar sot klubi italian me një video për fushatën e abonimeve, ku shfaqeshin me dhjetëra ish-lojtarë e trajnerë, por mungonin ato të historisë së viteve të fundit, Mauricio Sarri e Gonzalo Higuain.

Nga Maradona te Hamshik, Kualjarela, Pandev, Benitez, apo edhe Hysaj e trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, të gjithë gjenden në videon e publikuar sot në rrjetet sociale nga klubi italian. Slogani është “Një qytet, një klub, një pasion”, mesazh mëse i qartë për bashkimin e të gjithëve në mbështetje të ekipit që do të synojë këtë vit të thyejë hegjemoninë e Juventusit.

Një Juventus ku për momentin janë protagonistë dy të harruarit e mëdhenj, Sarri dhe Higuain, të cilët vështirë se do të falen ndonjëherë për “transferimin te armiku”.  /vipsport.al/