VIDEO/ Fiorentina e nis turneun me fitore, debuton edhe mesfushori shkodran

Fiorentina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme turneun “International Champions Cup”, duke marrë një fitore në ndeshjen e parë ndaj ekipit meksikan të Guadalahara Çivasit, me shifrat 2-1. Në këtë takim të parë në turne, ka pasur minuta edhe për mesfushorin shkodran, Erald Lakti i cili stërvitet prej ditësh me ekipin e parë dhe u mor në turne nga Montela.

Lakti që sezonin e shkuar ishte kapiten i të rinjve të Fiorentinës, është aktivizuar në minutën e 73, duke zënë vendin e Kristoforo, atëherë kur rezultati ishte 2-1 për skuadrën e tij. Ky aktivizim në këtë turne, natyrisht që nxjerr edhe njëherë në pah vlerat e mesfushorit shkodran si edhe besimin që trajneri Montela ka te ai, ku kujtojmë se edhe javën e fundit të kampionatit, e grumbulloi për ndeshjen ndaj Xhenoas.

Sa i përket ndeshjes, meksikanët kaluan në avantazh në minutën e 25, ndërkohë që Simeone barazoi në minutën e 27. Në minutën e 36, meksikanët kanë humbur një penallti, ndërkohë që Sotil në pjesën e dytë ka përmbysur gjithçka. Ndeshjet e radhës në këtë turne, Fiorentina i luan ndaj Arsenalit dhe Benfikës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/