VIDEO / Dramë për Shkëndijën, eliminohet në minutën e 91-të

Shkëndija e Tetovës ka gabuar gjithçka të mundshme ne Ligën e Kampioneve duke u eliminuar nga turneu për të kaluar në Ligën e Europës, pasi është mundur në shtëpi nga estonezët e Nome Kalju, një rezultat i papritur duke llogaritur fitoren 1-0 në ndeshjen e parë të kuqezinjve.

Ndoshta ai rezultat i parë ndikoi në lojën e skuadrës së Qatip Osmanit e cila u shfaq shumë e shpërqendruar sot duke bërë gabime thelbësore, si ai i minutave të para të Zahov që u dha avantazhin miqve. Shkëndija u hodh e tëra në sulm dhe krijoi raste, por edhe la shumë hapësira në prapavijë, duke rrezikuar shpeshherë që të pësonte një gol tjetër.

Në pjesën e dytë, ajo rriti trysninë para portës kundërshtare, por u ndal fillimisht nga shtylla pas një goditje dënimi të Ibraimit. Gjithsesi, sulmuesi tundi rrejtën me penalltinë e tij dhe vendosi baraspeshën në minutën e 62-të, duke i hapur rrugën kualifikimit.

Traversa i mohoi atij gëzimin e një goli tjetër, por Shkëndije dukej se ishte plotësisht në kontroll. Megjtihatë, në minutat e fundit, ndoshta duke e tepruar pak me pakujdesitë në mbajtjen e topit dhe me ofensivën e panevojshme, pasi e cilësoi para kohe ndeshjen e mbyllur, Shkëndija u shpërqendrua e pësoi një gol të dytë në minutat shtesë nga ekipi mik, që e nxjerrin atë jashtë turneut elitar në Europë dhe e dërgojnë në Ligën e Europës ku e pret njëra mes Dudelanzh dhe Valetës. /vipsport.al/

Shkëndija-Kalju 1-2
62′ (p) Ibraimi / 6′ Uge, 91′ Liliu

Shkëndija: Zahov, Mici, Musliu, Bejtulai, Murati, Husmain, Alimi, Radeski, Totre, A.Ibraimi, B.Ibraimi.

Trajner. Qatip Osmani

Nome Kalju: Londak, Markoviç, Avilov, Uge, Kulinits, Paur, Subotin, Mbu Alidor, Mashitshev, Liliu, Klein.
Trajner. Roman Kazhukhovski