VIDEO / Dënimi i Skënderbeut, holandezët kujtojnë duelin e dyshuar me Ado Den Hag

Vendimi i KAS të Lozanës për Skënderbeun ka kthyer në epiqendër të vëmendjes futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, për arsyen më të gabuar të mundshme. Prej disa ditësh, mediat më prestigjioze botërore i kanë kushtuar vëmendje këtij dënimi dhe faktit se si Skënderbeu ishte akuzuar për trukimin e më shumë se 50 ndeshjeve nga UEFA, ndërsa kishte pasur vazhdimisht dyshime se kishte bërë një gjë të tillë jo vetëm në aktivitete zyrtare, por edhe miqësore.

Kjo është arsyeja se pse revista e njohur online holandeze  “Voetbal International”, i është kthyer një episodi që ka ngjallur shumë diskutime disa vite më parë. Bëhet fjalë për dy ndeshje miqësore që zhvilloi në Spanjë në janarin 2015 Skënderbeu, ndaj Ado Den Hag, ku u mund 2-0 dhe ndaj Ostendes, ku u mund 4-0. Ndeshja me Ostenden gjendet në çdo raport të UEFA-s si e dyshuar për trukime pasi golat e pësuar përputheshin me bastet e vendosura në momente të caktuar të sfidës, ndërsa edhe kompanitë e alarmuara e kishin hequr sfidën nga bastet.

Revista i ka bërë një përmbledhje dënimit të UEFA-s, por duke iu kthyer përsëri këtyre dy sfidave e publikuar edhe një herë pamjet e ndeshjes me Ado Den Hag, të cilat asokohe nga drejtuesit e skuadrës holandeze u cilësuan si “normale”. Të gjithë lojtarët e Den Hag u morën në pyetje pas asaj sfide nga Federata Holandeze, e cila më pas edhe këshilloi klubet e vendit të saj që të kishin kujdes me kë luanin miqësore.

Ishte viti 2015 dhe disa muaj më vonë, Skënderbeu do të shkruante historinë duke u kualifikuar për herë të parë në fazën në grupe të Ligës së Europës, por duke i dhënë gjatë rrugëtimit të tij material UEFA-s për të ndërtuar dënimin më të rëndë në historinë e disiplinës sportive sa i përket trukimeve të ndeshjeve… /vipsport.al/