VIDEO / Çekiçi e fillon kampionatin si mbylli të vjetrin, gol që në ndeshjen e parë

Endri Çekiçi konfirmohet në formë të shkëlqyer edhe këtë fillim të sezoni me skuadrën e Olimpija Ljubljanës. Sulmuesi shqiptar, pas pjesës së dytë të sezonit të kaluar ku tregoi veten me gola të njëpasnjëshëm, edhe këtë edicion e ka nisur me gol që në ndeshjen e parë të kampionatit për klubin  e tij.

Çeksiçi, titullar si zakonisht me fanellën e Olimpijas, ishte vendosur në majën e sulmit të skuadrës së tij dhe iu deshën vetëm 26 minuta për të gjetur rrjetën ndaj ASK Bravo Publikum. Pas një kundërsulmi të shpejtë, ai lëshoi një predhë nga jashtë zonës duke dërguar sferën në rrjetë e duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Gjatë sezonit të kaluar, Çekiçi u aktivizua në 9 ndeshje në kampionat me fanellën e Olimpija Ljubljanës dhe shënoi atje 6 gola, duke u bërë menjëherë një nga emrat më të rëndësishëm për këtë ekip.

Ndeshja u mbyll 2-0 për Olimpija e cila e nisi kampionatin me një fitore të rëndëisshme për moralin pas humbjes në Ligën e Europës. /vipsport.al/