VIDEO/ Agolli lë shenjën e tij në Amerikë, realizon një ‘perlë’ në finalen e Konferencës

Ansi Agolli e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën amerikane, teksa ka triumfuar në finalen e Konferencës. Skuadra e Nju Jork Kozmos, ku aktivizohet mbrojtësi shqiptar mposhti ekipin e Bruklin Italians. Vendimtar ishte goli i Agollit, i cili vendosi ndeshjen me një supergol.

36-vjeçari mori një pasim nga e majta, teksa nuk u mendua dy herë por goditi fluturimthi, duke shtangur portierin kundërshtar. Një perlë e vërtetë nga Agolli, ndërsa për të rritur shkallën e vështirësisë, goli u realizua me këmbën e djathtë, e cila nuk është e preferuara e mbrojtësit.

Kështu, Agolli koleksionoi trofeun e parë në Amerikë. Ansi vendosi këtë sezon të largohej nga Karabaku, ku mbylli një aventurë 9-vjeçare, ndërsa zgjodhi të transferohej në Amerikë edhe për arsye familjare. Megjithatë, tashmë duket se lojtari është përshtatur dhe ka nisur të jetë vendimtar për Nju Jork Kozmos. /Egi Çabeli-VipSport.al/