Vazhdon lufta, Atletiko i kërkon Barcelonës 200 milionë euro për Grizman

Dukej se kishte përfunduar gjithçka por nuk është ashtu, Antuan Grizman nuk mund ta cilësojë ende veten një futbollist të Barcelonës edhe pse ka paguar klauzolën e largimit prej 120 milionë eurosh te Atletiko Madrid. Ish-klubi i tij i ka shpallur luftë katalanasve dhe sulmuesit francez, duke insistuar që të paguhet klauzola e plotë prej 200 milionë eurosh dhe jo ajo e pjesshme.

Klubi ka dalë me një komunikatë për shtyp ku ka shpjeguar se pse e cilëson të paligjshëm transferimin dhe ka kërkuar bllokimin e tij. “Antuan Grizman, i përfaqësuar nga avokati i tij, është paraqitur në selinë e Ligës së Futbollit Profesionist për të prishur në mënyrë të njëanshme kontratën që e lidhte këtë lojtar me Atletiko Madrid, duke depozitar Barcelona në emër të lojtarit dhe për llogari të tij, sasinë prej 120 milionë eurosh.

Atletiko Madrid vlerëson se shifra e depozituar është e pamjaftueshme për të përballuar klauzolën e largimit, pasi është e qartë që marrëveshja e lojtarit me Barcelonën është mbyllur para se kjo klauzolë të zbriste nga 200 në 120 milionë euro. Gjithashtu, ishte edhe para se të bëhej modifikimi i klauzolës, kur lojtari shpalli publikisht më 14 maj se do të largohej”, shpjegonte klubi duke paralajmëruar rrugë ligjore për të siguruar të drejtën e vet, që do të thotë pagesën e plotë të 200 milionë eurove. /vipsport.al/