Ulja e avionit që mund të kthehej në tragjedi, momente paniku në klubin e njohur brazilian

Më shumë se 2 vite më parë, futbolli mori një goditje duke qenë se avioni me të cilin po fluturonte skuadra e Shapokoenses, u përplas dhe për pasojë mbetën të vdekur thuajse të gjithë futbollistët dhe stafi. Sakaq, një tjetër tragjedi mund të ndodhte me ekipin tjetër brazilian, Palmeiras.

Skuadra braziliane po udhëtonte në drejtim të Argjentinës dhe kushtet e rënduara të motit e sidomos era e fortë, kanë bërë që piloti të ketë vështirësi në momentin e uljes në Mendoza. Në atë kohë, avioni ka pësuar dy probleme dhe për pasojë, piloti është detyruar të ndryshojë destinacion dhe nuk është ulur në Mendoza, duke shmangur tragjedinë pasi mund të përplaseshin ën momentin e uljes.

Kjo ka bërë, që piloti të përfundojë në aeroportin e Rosarios, aty ku ulja për fat të mirë ka qenë e rregullt dhe nuk ka pasur probleme. Sakaq, paniku në avion ka bërë që disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit, të sëmuren dhe të kenë të vjella e marrje mendësh, ndërkohë që tashmë Palemirasi po mendon një tjetër zgjidhje.

Skuadrës i duhet të shkojë në Mendoza duke qenë se të martën luan ndaj Godoi Kruz, por nga Rosario e deri në Mendoza, është rrugë shumë e gjatë nëse bëhet në mënyrë tokësore. Skuadrës i duhen plot 10 orë për të shkuar në qytetin ku duhet dhe tashmë, ky duket të jetë problemi më i madh për futbollistët. /Erjon Allaraj-VipSport.al/