Ujkani tregon vitin me Gatuzon: Nuk merrnim rrogat e nuk stërviteshim

Historia e Samir Ujkanit me futbollin e rëndësishëm europian ka filluar me skuadrën e Palermos dhe normalisht për kapitenin aktual të përfaqësueses së Kosovës, kjo skuadër do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Këtë e ka treguar edhe vetë portieri në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ku ka folur për falimentimin e Palermos, duke bërë të qartë në fakt se e kishte dyshuar një gjë të tillë.

Sipas Ujkanit, falimenti ishte i pritshëm me një president si Lukezi, të cilin e kishte parë në drejtim edhe në vitin e tij te Piza, ku u vu nën urdhrat e Rino Gatuzos dhe luajti përkrah Edgar Çanit dhe Rei Manajt, në një sezon që u mbyll me rënien e ekipit mes shumë problemesh financiare.

“Zhdukja e Palermos është një mëkat, më vjen shumë keq. Palermo më solli në Itali, më bëri futbollist. Ta shoh të zhduket më bën të ndjehem keq. Por jam i sigurt se ky qytet do të kthehet atje ku e meriton. Lukezin e kujtoj që të Piza, me të shkoi gjithçka mbrapsht.

Atje ishte Gatuzo i cili e imagjinonte menjëherë se si do të përfundonte me të dhe Petronin. Për fat të mirë që ishte trajneri, u treguam të fortë që përballuam Lukezi e Petroni, edhe pse drejtori në fund nuk mund të bënte asgjë se i vendoste të gjitha presidenti. Nuk kemi marrë rrogat për shumë muaj, nuk bëmë stërvitje pasi trajneri u largua, por pastaj u kthye për ne. Dhe bëmë gjithçka për të larguar këta njerëz nga Piza. Pastaj erdhi Korrado që shpëtoi klubin nga falimentimi. Ndaj kur Lukezi mbërriti te Palermo, kisha një ndjesi të keqe, më vjen keq ta them. Tani Palermo do ta fillojë nga zero, por shpresoj të kthehet i madh”, deklaroi portieri i cili më pas tregoi edhe “telashet” aktuale që ka me Rizespor në Turqi.

“Kam ende edhe dy vite kontratë me ta, të shohim… pasi do të dëshiroja të luaja e tregoja veten. Këtu për momentin nuk është e mundur, por jam profesionist e stërvitem dhe mbaj veten në formë. Jam në pritje të mundësisë për të treguar vlerën time”, tha Ujkani. /vipsport.al/