Uilliam Kordeiro: Përgatitemi për rezultat në Baku, na ka kënaqur loja

Uiliam Kordeiro beson se Partizani mund të bëjë surprizën ndaj Karabak në Baku. Braziliani i cili u aktivizua nga trajneri Lerda në qendër të mesfushës, ndryshe nga sa ishte parë vitin e kaluar te Kukësi, ka dhënë një intervistë për mediat azere duke shpjeguar atë që ka parë në sfidën e parë, por edhe për atë që presin të kuqtë në Baku.

Çfarë mendimi keni për ndeshjen e parë ndaj klubit të Karabak?
Doli që ishte një ndeshje shumë e vështirë. Por e prisnim, duke pasur parasysh kundërshtarin. Megjithatë, loja jonë na ka kënaqur. Ne arritëm të tregonim në disa momente atë që dëshironim.

Si Partizani, ashtu edhe Karabak kishin mundësi për të shënuar, kush mendoni se kishte më pak fat?
Të dy palët kishin shanse, le të presim për ndeshjen e kthimit dhe të shohim si do të jetë. Në besojmë  te vetvetja dhe po përgatitemi për ndeshjen në Baku.

A është barazimi pa gola në Tiranë një rezultat i mirë për ju, apo ishte objektivi një fitore ndaj Karabak?
Sigurisht që ishte fitorja dhe ne kishim shanse. Fatkeqësisht, nuk i finalizuam. Por ndeshja e parë mbaroi dhe tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e kthimit.

Karabak doli ashtu siç e prisnit apo mendonit se do të ishte një skuadër më e fortë?
Kjo është një skuadër shumë e mirë. Në përbërjen e saj ka lojtarë me aftësi të mëdha individuale. Unë kam luajtur edhe vitin e kaluar ndaj Karabak (me Kukësin) dhe e njoh këtë skuadër. Mund të them se te paraqitja e skuadrës, kemi parë atë që prisnim.

Ne Baku ju mjafton një barazim me gola për të kaluar. Vini për një rezultat të tillë apo një fitore?
Ne tani e kemi mendjen vetëm te një gjë, të tregojmë futboll të mirë në Baku dhe arrijmë një rezultat të suksesshëm. Ne besojmë shumë se mund ‘t’ia arrijmë.

Në Azerbajxhan, thuajse të gjithë mendojnë për kualifikimin e padiskutueshëm të Karabak në raundin e dytë…
Nuk na shqetëson. Do të luftojmë në Baku deri në fund.

Vitin e kaluar, Kukësi e mbylli në barazim në shtëpi me Karabak, por në takimin e kthimit humbi 3-0,. A do të përsëritet historia?
Siç e thashë, kemi bërë një ndeshje të parë të mirë. Tani po përgatitemi për të kthimit. Besoj se mund  arrijmë rezultatin e  kërkuar. Po stërvitemi për një gjë të tillë./vipsport.al/