UEFA reagon për Skënderbeun: Konfirmim i sistemit, shërben ndaj kanosjes të manipulimeve

Nuk ka vonuar shumë as reagimi i UEFA-s pas konfirmimit të KAS për përjashtimin disavjeçar të Skënderbeut nga pjesëmarrja në Kupat e Europës. Me një komunikatë në faqen zyrtare, UEFA ka bërë të ditur se mirëpret këtë vendim dhe se ai tregonte se sa i besueshëm ishte sistemi i monitorimit të basteve, një kërcënim i hapur ky për klubet e tjera që do të ndiqnin shembullin e korçarëve.

REAGIMI I UEFA

“UEFA mirëpret vendimin e KAS për të refuzuar apelimin e bërë nga Skënderbeu kundër vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s të 26 prill 2018.

Në vazhdimësi, KAS konfirmoi vendimin e marrë nga organet disiplinore të UEFA-s për të përjashtuar Skënderbeun nga pjesëmarrja në kompeticionet e klubeve të UEFA-s për 10 vite dhe për të gjobitur klubin me 1 milion euro për përfshirjen në aktivitete që kanë si qëllim ndikimin e rezultateve të ndeshjeve.

Ky është një konfirmim i mëtejshëm i besueshmërisë së sistemit të zbulimit të mashtrimit me bastet të UEFA-s (BFDS) në identifikimin e modeleve në ndeshje të luajtura nga klubet në nivel europian dhe kombëtar.

Më këtë vendim, KAS mbështet përpjekjet për të mbrojtur si aktivitete vendase, ashtu edhe ata të UEFA-s ndaj trukimeve. Ai gjithashtu tregon besimin që KAS ka ndaj UEFA BFDS, i zhvilluar në bashkëpunim me Sportradar, që është një mjet i rëndësishëm që ndihmon në garantimin e integritetit të turneve. Raporte të monitorimit të basteve, të ngjashme me ato që siguron Sportradar dhe kompani të tjera, si në rastin konkret Starlizard, janë konfirmuar si mjete të përshtatshme në luftën kundër manipulimeve.

BFDS u ndërtua në vitin 2009 si përgjigje ndaj kanosjes në rritje të manipulimit të ndeshjeve në kompeticionet e UEFA-s dhe ato të kampionateve kombëtare europiane. Roli i tij është të theksojë lëvizjet e parregullta të basteve, si para ndeshjes, ashtu edhe gjatë saj, në tregjet kryesore të basteve duke monitoruar të gjithë kompanitë e mëdha europiane dhe aziatike.

Monitorimi i tregjeve të basteve mbulon të gjitha turnetë e UEFA-s (rreth 2000 për sezon) dhe ndeshje në dy kategoritë më të larta dhe Kupë të vendeve anëtare të UEFA-s (rreth 30000 ndeshje për sezon). Monitorimi përdor algoritme të sofistikuara dhe modele matematike për të krahasuar koeficientet e përllogaritur me ato të basteve aktuale që të përcaktojë nëse koeficientet në një minutë të caktuar apo periudhë kohore janë të çrregullta. /vipsport.al/