U bë i famshëm nga një penallti, portieri që ndali Ronaldon mund ta ketë tashmë rival qyteti

Botërori i Rusisë ishte i mbushur me çudira të shumta dhe me rezultate surprizë, ku natyrisht, surprizë ishte edhe penalltia e Ronaldos ndaj Iranit, të cilën e ndali portieri Alireza Beiranvand. Një emër i panjohur në futbollin europian, portieri i Iranit mori jo pak famë nga penalltia e pritur dhe mesa duket, ajo penallti i ka ndryshuar edhe karrierën.

Portieri 26 vjeçar pritet që të transferohet në Serinë A italiane duke qenë se mediat italiane raportojnë se ai i është vetëofruar Torinos. Portieri në fjalë ka pranuar që të jetë zëvendësuesi i portierit Sirigu dhe të ketë mundësi të jetë pjesë e skuadrës torineze, duke bërë që të jetë tashmë sërish rival me Ronaldon.

Ai ka një klauzolë 600 mijë euro me skuadrën e tij aktuale dhe duket se kjo klauzolë nuk është problem për Torinon. Pas ndeshjes me Debrecenin, portieri iranian do të marrë edhe përgjigje përfundimtare nga Torino në lidhje me të ardhmen e tij. /Erjon Allaraj-VipSport.al/