Transferimi rekord i verës tremb Atletikon, Feliks dëmtohet në miqësore

Zhoao Feliks është një nga transferimet më të bujshme deri në këto momente të merkatos. Sulmuesi portugez u transferua te Atletiko Madrid, pasi këta të fundit treguan gatishmërinë për të paguar 126 milionë eurot që kërkonte Benfika.

Ndërkohë, sot ishte parashikuar edhe ndeshja e parë miqësore e këtij sezoni për skuadrën bardhëkuqe dhe vëmendja ishte e gjitha mbi talentin 19-vjeçar. Por, Feliks nuk arriti të luante më shumë se 28 minuta teksa u detyrua të braktiste fushën para kohe për shkak të një dëmtimi. Edhe pse provoi të qëndronte në lojë, luzitani e kuptoi se ishte më mirë të mos rrezikonte.

Një dëmtim, i cili frikëson Atletikon duke marrë parasysh milionat e shpenzuara për Feliks, ndërsa për të kuptuar shkallën e dëmtimit duhet të pritet. Ndërkaq, për aq minuta sa ishte prezent në ndeshje, sulmuesi shfaqi disa prej cilësive të tij duke entuziazmuar të pranishmit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/