Trajneri i Hapoel lavdëron Laçin: Ishim me fat që nuk pësuam edhe të dytin

Trajneri i Hapoel Ber Sheva, Barak Bakhar, e pranoi se skuadra e tij kishte qenë me shumë fat sot që kishte dalë me një barazim nga fusha e Laçit. Kurbinasit i vunë izraelitët në vështirësi të dukshme dhe këtë e pranoi edhe trajneri i skuadrës mike pas përfundimit të takimit.

“Ndeshja nuk filloi siç e pritnim dhe goli që pësuam na tronditi. Jam i lumtur që lojtarët reaguan më vonë, kontrolluan ndeshjen dhe krijuan situata, ndonëse luajtëm ndaj një skuadre agresive që ishte e rreshtuar mirë në fushë. U kthyem në lojë me karakter dhe ishim gjithashtu me fat që nuk pësuam golin e dytë. Ndeshja e radhës do të jetë e para e këtij sezoni para tifozëve tanë ndaj duhet të shkojmë në duelin e dytë për të fituar, pavarësisht rezultatit të sotëm që na favorizon”, tha ai.

“Ne e ndjejmë atmosferën në ekip dhe se lojtarët po luftojnë më shumë të bashkuar. Goli i Levi? Ai është një djalosh i cili erdhi nga kategoria e dytë dhe hyri në ritëm e kombinoi me shokët e skuadrës. Goli i tij nuk më çuditi, pasi ishte shumë i vëmendshëm në stërvitje, ndaj e aktivizova”, deklaroi trajneri i Hapoel Ber Sheva./vipsport.al/