Tirana zyrtarizon sulmuesin nga Kenia, firmos me ish-lojtarin e Luftëtarit

Klubi i Tiranës ka zyrtarizuar ditën e sotme afrimin e katërt për këtë merkato verore. Bardheblutë pasi kanë transferuar më parë Elton Kale, Agustin Torasën dhe Idriz Bathën, tashmë kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe me sulmuesin Ismail Dunga. Futbollisti sezonin e kaluar ishte pjesë e Luftëtarit, teksa arriti të shënonte edhe 10 gola.

Një përforcim i vlefshëm duke parë vuajtjet e 24-herë kampionëve në sezonin e kaluar për të gjetur rrugën e golit, ndërsa tashmë projektohet një partneritet në majën e sulmit me Majkëll Ngo. Ndërkohë, ishte klubi i Tiranës që nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook ka zyrtarizuar marrëveshjen me lojtarin nga Kenia. Ndërkaq, Dunga ka firmosur një kontratë e cila do ta mbajë të lidhur me skuadrën e kryeqytetase për dy sezonet në vazhdim.

“Ismael Dunga eshte zyrtarisht bardheblu. Sulmuesi 26-vjecar ka firmosur kontraten qe e ben pjese te Tiranes per dy vitet e ardhshme. Dunga ka perfunduar kontraten me klubin e Luftetarit dhe ka zyrtarizuar sot marreveshjen bardheblu. Futbollisti nga Kenia, autori i 10 golave ne sezonin e fundit me Luftetarin, vjen si nje perforcim me vlera per sulmin e Tiranes,” shkruhej në njoftimin e Tiranës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/