Tirana nuk shkon më shumë se barazimi, bardheblutë ndahen në paqe me Renovën

Skuadra e Tiranës ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e parë përgatitore për sezonin e ri. Bardheblutë kishin programuar një test përballë ekipit të Renovës. Ndërkohë, ndeshja është mbyllur me rezultatin e barabartë 2-2. Sa i përket takimit, trajneri Mema e nisi sfidën me shumë ndryshime në formacion teksa i dha mundësinë e aktivizimit disa lojtarëve të rinj si Çelhaka, Hasa, Muçi dhe Cikani.

Ndërkaq, të parët që kaluan në avantazh ishte skuadra maqedonase e Renovës, megjithatë reagimi i 24-herë kampionëve të Shqipërisë erdhi falë golit të Gentian Muçës. Mbrojtësi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke rikthyer ekuilibrat. Sakaq, në pjesën e dytë, tekniku Mema aktivizoi një formacion krejtësisht të ndryshëm me të parin, ndërkohë që iu dha të gjithëve mundësinë e aktivizimit.

Ndërkohë, bardheblutë gjetën edhe golin e epërsisë, teksa kishin edhe ndihmën e fatit. Pas një krosimi në zonë të Hoxhallarit, skuadra e Renovës shënoi autogol. Megjithatë, Renova ia doli të barazonte, ndërsa ndeshja përfundimisht u mbyll në shifrat 2-2. Tirana është e grumbulluar në Ohër për fazën përgatitore teksa do të qëndrojë për dy javë ne vendin fqinj, ku do të zhvillojë edhe tre ndeshje të tjera. /Egi Çabeli-VipSport.al/