Tirana nis përgatitjet për sezonin e ri, bardheblutë nisen të hënën drejt Ohrit

Tirana ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ekipi bardheblu zbriti ditën e djeshme në kompleksin Skëndër Halili, ndërsa të pranishëm ishin pjesa më e madhe e lojtarëve nga sezoni i kaluar, ndërkohë që në stërvitje morën pjesë edhe afrimet e reja të merkatos së verës.

E djeshme, ishte një ditë e ngarkuar për bardheblutë, të cilët zyrtarizuan transferimin e sulmuesit Ismail Dunga, mbrojtësit Kariqi, teksa rikthyen në skuadër portierin Edvan Bakaj, por gjithashtu rinovuan me Ilion Likën dhe afruan gardianin e talentuar nga Flamurtari, Pano Qirko. Ndërkaq, skuadra do të vazhdojë përgatitjet në Tiranë përgjatë fundjavës dhe prej ditës së hënë ekipi do të zhvendoset për të kryer fazën përgatitore në Ohër.

Ndërsa, në ditët në vazhdim priten që skuadra të kompletohet plotësisht. Në këtë mënyrë, Tirana i jep jetë sezonit të ri, teksa shpresojnë të hedhin pas krahëve zhgënjimet e viteve të fundit dhe të rikthehen në nivelet e dikurshme, sidomos në një vit special që përkon me 100 vjetorin e krijimit. /Egi Çabeli-VipSport.al/