Tirana nis përgatitjet me miqësore, katër rivalë në ditët në Ohër

Tirana ka filluar punën konkrete në fazën përgatitore që po zhvillon në Ohër, duke planifikuar edhe ndeshjet miqësore me të cilat trajneri Ardian Mema do të shohë në veprim lojtarët që ka në dispozicion dhe të rregullojë aspektin taktik. Trajnerit të bardhebluve do t’i duhet punë për të riformatuar edhe një herë mesfushën, falë prurjeve të reja në kampin bardheblu gjatë merkatos së verës.

Klubi ka bërë të ditur se ndeshja e parë testuese e skuadrës do të jetë ajo e kësaj të shtune, përballë ekipit të Renovës i cili sigurisht do të përbëjë një test të fortë për ekipin e Memës. Njëkohësisht, është parashikuar që atje të zhvillohen edhe tre ndeshje të terja pas kësaj, në mënyrë që skuadra të jetë sa më e përgatitur kur të afrojë fillimi i sezonit në Kategorinë Superiore.

Ndërkohë, bardheblute vazhdojnë të jenë të vëmendshëm në merkato për futbollistë të rinj, për të shtuar alternativat sidomos në prapavijë dhe në repartin e sulmit ku pritet ende mbërritja e Majkëll Ngo. /vipsport.al/