Tirana ka nevojë për eksperiencë, bardheblutë rinovojnë me Ilion Likën

Tirana ka vendosur të rinovojë kontratën me një nga veteranët e skuadrës, portierin Ilion Lika. Pavarësisht, afrimeve në merkaton e verës si Edvan Bakaj dhe Pano Qirko, bardheblutë kërkojnë të kenë në organikë edhe eksperiencën e Likës.

Dhe përvoja e 39-vjeçarit, u provua pikërisht në sezonin e kaluar, kur Tirana rrezikoi edhe mbijetesën në Kategorinë Superiore, megjithatë aktivizimi i Likës në javët e fundit, i dha siguri ekipit në portë. Kështu, gardiani do të jetë pjesë e 24-herë të kampionëve të Shqipërisë edhe për një sezon. Zyrtarizimi i marrëveshjes u bë nëpërmjet faqes zyrtare të klubit të Tiranës në Facebook.

“Ilion Lika ka rinovuar kontraten qe e mban ne shtepi edhe per nje sezon tjeter. Portieri me eksperience do te jete serish ne porten e Tiranes si nje lojtar teper i rendesishem per objektivat e klubit. Per Liken sezoni 2019-2020 do te jete i shtati si bardheblu’’, shkruhej në njoftim.

/Egi Çabeli-VipSport.al/