Telushi: Duhet të korrigjojmë daljet në sulm. Më mirë nëse zgjidhet në 90 minuta

Bruno Telushi është optimist se Partizani do të arrijë të shfaqë lojën e vet edhe në Baku përballë Karabak dhe se ka shanse reale për kualifikimin e mëtejshëm në Ligën e Kampioneve. Në një prononcim për RTSH, mesfushori foli për sfidën e parë dhe për atë që pret të bëjë ekipi në duelin e dytë.

“Mendoj se për të korrigjuar kemi vetëm daljet në sulm, se nëse do të kundërsulmojmë si në ndeshjen e parë dhe të dalim në sulm më mirë, besoj se ia dalim. Kjo është për të rregulluar e pak me tepër mbajtja e topit”, tha mesfushori i të kuqve.

Sipas tij, tani edhe kundërshtari është i ndërgjegjshëm që përballë ka një skuadër cilësore dhe do të jetë më i vëmendshëm ndaj të kuqve. “Partizani në këtë ndeshje kthimi shkon si ekip i fortë, se bëri ndeshje të mirë. Për pjesën e besimit, në besojmë shumë te kualifikimi se të gjithë e panë edhe në Tiranë që jemi skuadër e fortë dhe e vështirë”, vijoi ai.

Partizani është përgatitur për çdo eventualitet, edhe për penalltitë, por Telushi do të dëshironte që të mos shkohej deri te goditjet nga pika e bardhë. “Kemi punuar edhe për pjesën e penalltive. Por e mira do të ishte të zgjidhej brenda 90 minutave”, tha ai. /vipsport.al/