“Të shpifur dhe racistë”, e dashura e rivalit të Hysajt nuk kursehet kundër napolitanëve

Eshli Rouz, e dashura e Kevin Malkuit, mbrojtësit të Napolit, sot ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh të gjatë që u drejtohej tifozëve napolitanë. Në mënyrë të papritur, partnerja e futbollistit ka lëshuar akuza dhe fjalë shumë të rënda ndaj atyre që sipas saj janë racistë dhe që gjykojnë tjetrin nga ngjyra e lëkurës.

“Që kur kam mbërritur, napolitanët janë sjellë në mënyrë të shpifur me mua. Jam e shëmtuar, motra e të fejuarit tim pasi kam të njëjtat flokë, duhet të bëj dietë. Më kishin paralajmëruar, nuk jam e bardhë dhe e dobët me flokë të gjatë të drejtë, por kam flokët afro, jam zezake dhe me format e trupit jo si “grua futbollisti” që janë ideale këtu.

Më pëlqejnë format e mia, e dashuroj ngjyrën e lëkurës time, flokët e mi. Kur shoh  komentet tuaja jam e sigurt që jam shumë më e bukur se të gjithë ju, pasi kam shpirtin më të bukur. Nuk jam në një lidhje me ty ndaj opinioni yt nuk më intereson. Më kishin thënë para se të vija këtu se napolitanët kishin reputacion si racistë. Nuk desha ta besoja, por shoh se është shumë e vërtetë (fatmirësisht jo të gjithë). Pastaj është gjithmonë më e lehtë pas telefonit”, ishte sulmi i rëndë i partneres së futbollistit që pritet të shkaktojë polemika pa fund në Napoli. /vipsport.al/