Tare kërkon mesfushorin e Salzburgut, për ta transferuar përdor Berishën

Igli Tare nuk pushon në merkato. Drejtori sportiv i Lacios është vënë prej kohësh në ndjekje të zëvendësuesit të Milinkoviç-Saviç, i cili këtë sezon pas ofertave nga Parisi dhe Mançester Junajtid, nuk do të jetë më pjesë e Lacios. Tare ka hedhur sytë te skuadra e Salzburgut, aty ku aktivizohet mesfushori i talentuar, Dominik Szobozlai.

Futbollisti përmbush kriteret e drejtorit shqiptar teksa është 18-vjeçar dhe mund të jetë një investim i mirëmenduar për të ardhmen. Kartoni i mesfushorit kushton rreth 20 milionë euro, ndërsa Tare po mendon të përfshijë në negociata edhe mesfushorin shqiptar Valon Berisha.

Lojtari i përfaqësueses së Kosovës ka qenë më parë pjesë e Salzburgut, ndërsa ishte i pafat te aventura me ekipin e Lacios, teksa dëmtimet nuk e lejuan të shfaqte potencialin. Kështu, Tare po mendon ta kthejë sërish Berishën te skuadra e vjetër, duke qenë se mesfushori është në merkato, dhe më pas të sigurojë firmën e një tjetër lojtari të Salzburgut, pra të Dominik Szobozlai.

/Egi Çabeli-VipSport.al/