Talenti Broja nuk di të ndalet, shënon një tjetër gol me fanellën e Çelsit

Shqipëria nuk do të vuajë për sulmues edhe për disa vite dhe kjo duket si diçka e sigurt. Në akademitë e klubeve më elitare në Europë, po rriten futbollistë të cilët në të ardhmen mund të bëjnë realitet ëndrrën e shumë shqiptarëve, për të parë një ekip kombëtar të suksesshëm.

Te akademia e Çelsit, aktivizohet sulmuesi shtatlartë, Armando Broja i cili megjithëse është vetëm 17 vjeç, ka debutuar me fanellën e Shqipërisë U21 duke shënuar edhe 3 gola në dy ndeshje të luajtura. Sakaq, golat duket se janë ajo që Broja di të bëjë më mirë, pasi nuk po ndalet së shënuari as me të rinjtë e Çelsit.

Sulmuesi i Shpresave ka shënuar në fitoren që Çelsi U18 ka marrë sot ndaj Suonsit me rezultatin 3-0 dhe ka qenë pikërisht Broja, ai që ka vulosur fitoren duke shënuar golin e tretë të takimit. Pak ditë më parë, Broja shënoi një tjetër gol në miqësore dhe nuk është rastësi që disa herë është stërvitur me ekipin e parë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/