Sulmuesi i Kombëtares një hap larg zyrtarizimit te skuadra e re, e pret sërish një aventurë në Serinë B

Xhakomo Vrioni ka mbyllur aventurën me Venecian, ndërsa pas huazimit është kthyer te Sampdoria, e cila zotëron edhe kartonin e tij. Në sezonin e kaluar, lojtari regjistroi 24 paraqitje me Venecian ndërsa realizoi edhe një gol.

Megjithatë, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, do të largohet teksa pritet të huazohet sërish në një tjetër skuadër të Serisë B. 20-vjeçari duket një hap larg skuadrës së Çitadelës, ndërkohë që edhe dy klubet duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe mungon vetëm zyrtarizimi.

Klubi i Çitadelës e shikon Vrionin si përforcimin e duhur në sulm, për të mbajtur peshën e ofensivës sezonin e ardhshëm. Në këtë formë, Vrioni pritet të nisë një tjetër aventurë, teksa ndryshe nga e kaluara me Venecian, tashmë sulmuesi shpreson të gjejë më shumë hapësira për të shfaqur potencialin e plotë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/