Sulmuesi gjigant ‘var këpucët në gozhdë’, ish-lojtari i Liverpulit i thotë stop futbollit

Peter Krauç ka vendosur t’i japë fund karrierës futbollistike. Gjiganti anglez ka zyrtarizuar ditën e sotme vendimin për t’u tërhequr përfundimisht në moshën 38-vjeçare teksa së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Bërnlej.

Megjithatë, karriera e Krauç është shumë e pasur, ndërsa gjatë saj është aktivizuar me shumë klube por kulmi mund të konsiderohet transferimi te Liverpuli në vitin 2005. Me të kuqtë Krauç zhvilloi 85 ndeshje, ndërsa shënoi edhe 22 gola. Përgjatë të gjithë viteve që i kushtoi futbollit, Krauç u aktivizua vetëm në Britani, duke mos luajtur në asnjë kampionat tjetër.

Në përfundim të karrierës, sulmuesi përfaqësoi 11 klube të ndryshme, ndërsa ka shënuar edhe 108 gola në Premier League. Sa i përket Kombëtares së Anglisë, Peter Krauç ka zhvilluar në total 42 ndeshje duke regjistruar edhe 22 gola.