Strakoshën e presin me duartrokitje në stërvitje, largohet shqiptari që e zëvendësoi

Lajme të mira për Thomas Strakoshën. Portieri i përfaqësueses shqiptare më në fund është kthyer në stërvitje me klubin e Lacios, pasi ka kaluar kontrollet mjekësore që duhej të vlerësonin gjendjen e tendinës së Akilit të dëmtuar në fundin e sezonit të kaluar.

Gjithçka ka shkuar mirë në vizitat mjekësore të paradites, ndaj pasdite, ai është shfaqur në qendrën stërvitor të Lacios në Auronco, për të filluar përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Sigurisht, për Strakoshën do të nisë gjithçka me një program individual që të riaftësojë sa më shpejt këmbën e dëmtuar e më pas të bashkohet me grupin kur të jetë në gjendjen më optimale.

Por thjesht prania e tij ka qenë një lajm shumë i gëzueshëm për të gjithë tifozët e pranishëm në stërvitje, të cilët kur e kanë parë sot duke hyrë në fushën e stërvitjes, kanë thirrur në kor emrin e tij dhe kanë nisur një duartrokitje të gjatë për lojtarin shqiptar i cili ka filluar përgatitjet për sezonin e ri.

Ndërkohë, me kthimin e Strakoshës, nga radhët e ekipit të parë është larguar portieri 19-vjeçar Marko Alia i cili e kishte zëvendësuar këto ditë. Futbollisti shqiptar ka dhuruar paraqitje të mira dhe është vazhdimisht në vëmendjen e stafit të Lacios, por për momentin i është besuar katërkëndori në ekipin e të rinjve. /vipsport.al/