Solskjaer i thur elozhe të riut: Është gati për skuadrën e parë, më kujton Gigs

Nëse ka një emër i cili po shkëlqen në turin e Mançester Junajtid para se të nisë sezonin e Premier League, ai është djaloshi Mejzon Grinud. 17-vjeçari i dalë nga akademia, realizoi ditën e sotme golin e fitores përballë Interit, ndërsa ia kishte dalë të gjente rrugën e rrjetës edhe një ndeshje më parë.

Ndërkohë, për sulmuesin nuk kanë munguar as komplimentet nga trajneri Solskjaer, i cili është shprehur se talenti është gati për ekipin e parë dhe se i ngjason me Rajan Gigs, një legjendë e Mançesterit. “ Djaloshi është vetëm 17-vjeçar dhe po mëson shumë në stërvitjen e përditshme. Ka qenë me ne në muajt e fundit, është rritur me besim dhe kur lojtarët luajnë kështu është e vështirë t’i mbash jashtë.

Por, duhet të jemi me këmbë në tokë, është vetëm 17-vjeç. Do të ketë ulje dhe ngritje, por po e shijon futbollin e tij. Nuk kemi menduar asnjëherë ta dërgojmë në huazim. Është prej atyre që duhet t’i mbajmë këtu. Më kujton pak historinë e Gigs, për mua është gati për në ekipin e parë”, u shpreh tekniku norvegjez.

/Egi Çabeli-VipSport.al/