Skriniar sfidon Juventusin: Stërvitemi për të fituar kampionatin, një ditë dua të jem kapiten i Interit

Interi ka nisur fazën përgatitore para se të nisë sezonin e ri 2019-2020. Skuadra zikaltër, tashmë nën udhëheqjen e Antonio Kontes kërkon të rikthehet te sukseset e dikurshme, ndërsa në vitet e fundit i është dashur të vuajë triumfin e rivalëve të përjetshëm të Juventusit. Megjithatë, ky mund të jetë sezoni i duhur për të rrëzuar bardhezinjtë nga froni.

Të paktën kështu mendon, Milan Skriniar. Qendra e mbrojtjes së Interit, gjithashtu shton se një ditë do i pëlqente të ishte kapiteni i zikaltërve. “  Jam gati, ka shumë dëshirë për të nisur sezonin  e ri. Besoj se jemi gati. Një ditë dua të jem kapiteni i Interit, por është diçka që nuk e mendoj tani. Kemi një trajner të ri dhe ne duhet të mendojmë për të punuar dhe për të luajtur mirë dhe përmirësuar.

Gjithnjë e kam shprehur se dëshiroj të qëndroj këtu dhe jam i lumtur. Konte dihej që ishte një profesionist i madh, e ka dëshmuar prej ditës së parë. Stërvitemi çdo ditë me idenë për të fituar kampionatin dhe duhet të luftojmë për tre vendet e para”, tha Skriniar.

/Egi Çabeli-VipSport.al/