Skandali / UEFA me dy standarde, dënon Skënderbeun por pranon në Europë klubin belg të dënuar për trukime

Skënderbeu është bërë shembull për të tjerët. Për këtë duken të sigurt thuajse të gjithë në Shqipëri. Tifozë e jo vetëm janë të ndërgjegjshëm se nëse do të ishte një klub ngë një vend “politikisht më i fortë”, Skënderbeu nuk do të kishte marrë një dënim drastik si ai që doli nga zyrat e UEFA-s e që u miratua më pas nga KAS në Lozanë.

Përdorimi i dy standardeve në varësi të shteteve nga vijnë skuadrat vërtetohet edhe nga vendimi më i fundit i organizatës që drejton futbollin në Europë. Në Belgjikë, prej disa muajsh ka nisur një hetim i gjerë rreth manipulimit të ndeshjeve dhe paracaktimit të rezultateve në favor të skuadrave të veçanta. Në epiqendër të tij është skuadra e Meshelen, e cila në vitin e fundit ka fituar Kupën e Belgjikës dhe do të marrë pjesë në Ligën e Europës. Gjykata sportive belge pak ditë më parë e shpalli fajtor Meshelen për trukime ndeshjesh në sezonin 2017-2019, por për çështje procedurale juridike e kishte të pamundur ta rrëzonte nga kategoria.

Me një vendim të tillë, gjithsesi të gjithë pritnin që UEFA të dilte e të dënonte Meshelen, duke llogaritur se pak ditë më parë kishte mbështetur fuqimisht vendimin për të dënuar Skënderbeun. Por përkundrazi, ndërkombëtarët e panë me një sy ndryshe Meshelen. UEFA ka konfirmuar sot se Meshelen mund të marrë pjesë në Ligën e Europës për sa kohë që nuk ka një vendim përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit në Belgjikë që e shpall përfundimisht fajtor.

Sipas UEFA-s, Meshelen lejohet të marrë pjesë në fazën në grupe të Ligës së Europës “pa asnjë paragjykim ndaj rihapjes së çështjes nëse dalin në skenë informacione të reja në lidhje me ngjarjen apo çështjen”. Me pak fjalë, UEFA vendosi plotësisht ndryshe nga sa bëri me Skënderbeun në vitin 2016 kur e ndaloi të merrte pjesë në Ligën e Kampioneve si “parandalim” pasi ishte nën hetim për trukime edhe pse ndaj korçarëve nuk kishte asnjëfarë vendimi as në rang kombëtar si në rastin e Meshelen. /vipsport.al/