Shkëndija mëson rivalin në Europa League, përballë ekipit që vjet bëri histori e trembi Milanin

Shkëndija e Tetovës nuk do të ketë shumë kohë për të kapërdirë eliminimin e papritur përballë Nome Kalju në Ligën e Kampioneve, pasi duhet të përgatitet për ndeshjet në Ligën e Europës, ku sot ka mësuar edhe emrin e skuadrës që do të ketë përballë në turin e dytë të turneut.

Përballë saj do të jetë ekipi i Dudelanzh, i cili u eliminua pas dy barazimesh me Valetën, falë rregullit të golit jashtë fushe pasi në shtëpi ishte ndarë 2-2 e sot në transfertë vetëm 1-1. Shorti e ka vënë ekipin tetovar përballë kësaj skuadre që gjithsesi duhet trajtuar me kujdes pasi është një emër i cili në vitin e kaluar bëri historinë në Europë.

Dudelanzh e filloi edicionin në Ligën e Kampioneve por kaloi në turin e dytë në Ligën e Europës ku eliminoi Dritën, Legia Varshavën e në play-off rumunët e CFR Kluzh, duke siguruar pjesëmarrjen historike në grupet e turneut. Aty u ndesh me Olimpiakos, Milan e Betis, me rezultatet më të mira që i dhuroi pikërisht ndaj spanjollëve (0-0) dhe italianëve. Në ndeshjen me Milanin, ekipi i vogël i Luksemburgut iu afrua shumë mrekullisë por një gol i Higuain në pjesën e dytë i dha suksesin 1-0 skuadrës italiane.

Sipas kalendarit të paracaktuar në short, Shkëndija e Tetovës do të jetë pritëse në ndeshjen e parë dhe do të luajë në transfertë të dytën. /vipsport.al/