Shkëmbi: Ventspils tregoi futboll të shkëlqyer, nuk dhuruam paraqitje të keqe

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, ka pranuar se për skuadrën e tij kishte qenë shumë e vështirë të përballej në këtë moment me Ventspils në Kupën e Europës. Sipas tij, fakti se ekipi letonez kishte qenë në mes të kampionatit, e kishte ndihmuar përballë durrsakëve të cilët vinin nga faza përgatitore dhe nuk ishin në gjendjen optimale, ndaj u mundën 3-0.

“Nuk e meritonim një rezultat të tillë, pasi nuk dhuruam paraqitje të keqe. Ne luftuam, krijuam raste, por në fund rezultati doli i tillë. Sigurisht, e dinim shumë mirë se lojtarët e Ventspils ishin në mes të sezonit ndërsa në ishim në fazë përgatitore, ndaj përgatitja fizike e rivalëve do të ishte gjithsesi më e mirë. Kjo është një nga mangësitë tona dhe u munduam që ta marrim parasysh kur u përgatitëm për këtë ndeshje.

Që para sfidës e dinim që Ventspils ka sulmues të fortë dhe fatkeqësisht e konfirmuan në këtë sfidë. Ne ishim përgatitur për t’i neutralizuar, por nuk ia dolëm. Sigurisht, në këto situata duhej të kishim luajtur më mirë. Në fund të ndeshjes u munduam të sulmonim dhe na goditën me dy gola të tjerë, ndaj duhet ta pranoj që Ventspils luajti futboll të shkëlqyer”, tha Shkëmbi pas përfundimit të sfidës. /vipsport.al/