Shkëlzen Gashi merr 6,4 mln dollarë dhe kthehet në Europë! Do luajë në kategorinë e dytë

Shkëlzen Gashi gjen më në fund klubin e ri për të vazhduar karrierën pas një viti pushim, por nuk heq dorë nga milionat e dollarëve që përfiton nga kontrata e tij me Kolorado Rapids. Sulmuesi do të kthehet në Europë për të vazhduar karrierën e tij pasi i dha fund asaj në SHBA ku u bë i pasur, por qëndroi më shumë larg fushave të blerta se duke qenë protagonist brenda tyre.

Për lojtarin është zbuluar se ka një akord për kthimin në Zvicër, te ish-klubi i tij, Arau, ku ka luajtur në vitet 2011-2012 dhe ka shënuar 23 gola në 44 ndeshje. Drejtori sportiv aktual i klubit të kategorisë së dytë zvicerane dhe njëkohësisht ish-bashkëlojtar i tij, Sandro Burki, ka bindur Gashin se ai ishte vendi i duhur për t’u riambientuar me Europën e për të tentuar një tjetër kontratë të mirë në moshën 30-vjeçare.

Por transferimi nuk do të jetë në verë. Gashi do të mbyllë vitin në SHBA, duke qenë turist me pagesë atje, pasi Kolorado Rapids e paguan edhe pse nuk e ka në ekip. Nëse ndërpret kontratën, atëherë nuk do të marrë pjesën që i mbetet nga rroga vjetore prej 1,6 milionë dollarësh që përfundon në dhjetor.

Vetëm në janar ai do të jetë lojtar i lirë të firmosë me këdo dhe atëherë do të kthehet në vendlindjen e tij, Zvicër, për të vazhduar karrierën në vendin ku u bë një emër i njohur edhe në arnën ndërkombëtare. Në katër vitet e tij në Zvicër, Shkëlzen Gashi ka përfituar rrogë fikse nga Kolorado Rapids një shumë prej 6,4 milionë dollarësh. /vipsport.al/