Shehu: Akuzat e Takajt, njëlloj si dënimi i UEFA-s për Skënderbeun

KAS-i vendosi të linte në fuqi dënimin e UEFA-s për Skënderbeun dhe në lidhje me këtë dënim, presidenti Ardjan Takaj ka akuzuar Eduard Dervishin si personin që ndikoi në UEFA. Sakaq, akuzat e Takajt, për drejtorin e “VipSport.al”, Fation Shehu janë pa prova duke i cilësuar akuza të njëjta me dënimin që vetë UEFA ka dhënë. Shehu u shpreh në “Rubrika Sportive” se Shqipëria nuk e ka aq forcë sa të ndikojë në UEFA.

“Mbrojtja e Skënderbeut deri tani ka qenë me faktin që Skënderbeu po dënohet pa prova, dhe akuza e Takajt është e njëjta gjë, si u dënua Skënderbeu. Sepse si u dënua Skënderbeu, Takaj bën lidhjen logjike të gjërave që Dervishi është fajtor, në të dy rastet pa prova.

Mua më duket forcë shumë e madhe në një institucion të tillë që një individ të ketë akses për të dënuar një klub. Ndjehem realisht keq kur e mendoj jo se u dënua, por mënyra se si u dënua dhe sasia e dënimit. Nuk ishte dënim shembullor për të dhënë shembullin për atë që dyshon se trukon, por për shkrirje. Këtu më lind dyshimi në një lloj mllefi ndaj logos, ndaj këtij klubi, gjithçka ka kaluar masën e ndëshkimit për të mos u përsëritur më. Për të thënë pastaj që një individ, qoftë edhe shqiptar, ka qenë i palimituar për t’i bërë keq Skënderbeut, më duket e vështirë.

Nëse Dervishi është aq i fuqishëm sa për të dënuar një klub me shkrirje, më lind dyshimi që ka ndikuar edhe për të zgjedhur Dukën për të qenë në UEFA, apo pjesëtarë të FSHF që janë bërë pjesë e organeve të saj. Nëse do të akuzonte Takaj-Dervishin, mendoj se duhej të zgjeronte dorën e zezë, por nuk më duket lob i fuqishëm ai i shqiptarëve në UEFA.

Mbrojtja e Skënderbeut në këtë rast është në të njëjtën mënyrë se si UEFA është mbrojtur ndaj tyre. Fabula është që e keqja vjen nga Spanja. Më duket shumë mbrojtje e dobët për të shfajësuar një dëm të madh. Për mua Skënderbeut i është rënë në qafë për si është dënuar, këtu tregojmë se jemi shtet i vogël. Ne që kemi akses në Ekzekutiv të UEFA dhe nuk arrijmë të mbrojmë pjesën tonë, keq apo mirë, me të mirat e këqijat, me abuzimet e tij, apo me historinë. Fakti që nuk arritëm ta mbrojmë në UEFA, nëse ky skenar do të ishte i vërtetë, do të niste në Spanjë e mbaronte diku tjetër”, u shpreh Shehu. /VipSport.al/