Sarri e gjen problemin te mbrojtja: Nëse duam të luajmë futbollin tonë, duhet të përmirësohemi

Maurisio Sarri e ka nisur me humbjen aventurën e tij si trajner i Juventusit, duke u mundur me rezultatin 2-3 nga Totenhemi. Në përfundim të takimit, Sarri foli para mediave dhe çuditërisht, më shumë ka fajësuar mbrojtje, repart të cilin Juventusi e ka pasur ndër më të mirët në Europë gjatë viteve të fundit.

Sari pranoi se Totenhemi ishte më i shpejtë dhe krijonte më shumë raste, ndërkohë që shtoi se skuadra e tij duhet të përmirësohet pë të krijuar aksione. Sa i përket golave, Sarri u shpreh se Juventusi humbiste shumë topa në mënyrë naive.

“Ishte ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që luan me të njëjtin grup prej vitesh. Për ne ishte e vështirë edhe përgatitja fizike pasi ata ishin më të shpejtë dhe më shpërthyes por është diçka normale.

Nëse duam të luajmë futbollin tonë, duhet të përmirësohemi sepse në mbrojtje qarkullonim shumë dhe vonoheshim. Kjo na e bënte më të vështirë që të krijonim diçka. Kemi mbrojtur duke pritur kundërshtarin, e më pas pësonim gola naivë”, u shpreh Sarri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/