Sarri bën përforcimin e radhës për ndeshjen me Interin, Kina i lejon të marrë mbrojtësin

Interi dhe Juventusi kanë nisur turin veror në Azi, aty ku do të përballen mes tyre në “International Champions Cup”. Bardhezinjtë, kanë hasur vështirësi në udhëtimin drejt Kinës, duke qenë se shteti kinez i ndaloi udhëtimin e mbrojtësit Demiral, i afruar në merkaton e verës nga Sasuolo.

Shkak për këtë është bërë marrëdhënia e tensionuar mes Turqisë dhe Kinës, ku u duk se edhe njëherë tjetër, politika po bëhej problem. Megjithatë, kampionët në fuqi të Italisë kanë arritur të sigurojnë një vizë për mbrojtësin dhe ky i fundit, është nisur menjëherë në drejtim të Kinës që të bashkohet me skuadrën.

Sarri do të debutojë në ndeshjen ndaj Totenhemit, ndërkohë që të radhës e ka ndaj Interit, aty ku i gatshëm do të jetë edhe Demiral. Mbrojtësi 21-vjeçar turk, shihet si një nga mbrojtësit më me perspektivë, të cilin Juventusi e mori nga Sasuolo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/