Sadiku rishfaqet në stërvitje se Levante e bleu përsëri, por ka probleme për shitjen e tij

Armando Sadiku është kthyer sot përsëri në stërvitje me skuadrën e Levantes, për të filluar fazën përgatitore me ekipin spanjoll. Por si vetë futbollisti i përfaqësueses shqiptare, ashtu edhe klubi spanjoll, janë të ndërgjegjshëm që rrugët e tyre do të ndahen gjatë kësaj vere.

Në fakt, Levante u detyrua të blinte përsëri kartonin e mbrojtësit, falë një klauzole të vendosur në kontratën e tij për transferimin te Lugano. Lojtari nuk mund të huazohej në janar por vetëm të shitej dhe në marrëveshje u vendos një klauzolë që caktonte blerjen me një shifër modeste në fund të edicionit nga klubi spanjoll.

Por ideja e klubit është që ta largojë atë gjatë ditëve në vijim, pasi nuk e sheh më pjesë të planeve dhe do të rikuperojë sa më shumë nga shuma që ka shpenzuar për ta blerë nga Legia. Problemi i Levantes është se skuadra që ishte interesuar realisht për lojtarin, ka aktualisht probleme financiare me UEFA-n. Trabzonspor që ndiqte futbollistin, nuk ka përmbushur detyrimet që i ishin vënë për të rregulluar bilancet e tashmë rrezikon përjashtimin vitin tjetër nga Europa. Ndaj nuk mund të bëjë shpenzime në këtë verë e duhet të rregullojë sa më parë bilancet, e jo të mendojë për të bërë blerje të mëdha.

Në këtë mënyrë, Sadiku duket se ka mbetur te Levante derisa të gjendet një zgjidhje për situatën e tij, i ndërgjegjshëm gjithsesi se në klubin spanjoll do të rrijë vetëm për fazën përgatitore. /vipsport.al/