Roma parakalon Milanin për mesfushorin, në kryeqytet mbërrin edhe mbrojtësi italian

Drejtuesit e Romës duket se kanë fituar duelin me ata të Milanit për të afruar në skuadër mesfushorin e Fiorentinës, Xhordan Veretu. Mesfushori francez ishte dhe një objektiv i kuqezinjve, mirëpo në këto momente kryeqytetasit i kanë parakaluar, teksa i kanë ofruar klubit vjollcë 20 milionë euro, pa pasur nevojën e huazimeve.

Ndërkohë, Milani kishte tentuar nëpërmjet huazimeve apo përfshirjes në negociata të mesfushorit Bilja, të dyja alternativat të refuzuar nga drejtuesit e Fiorentinës. Në këtë formë, Veretu duket më pranë Romës, teksa pritet që transferimi të mbyllet në ditën e nesërme. Pasi, trajneri Fonseka kërkon ta ketë grupin e plotë para grumbullimit të fundjavës.

Sakaq, në kryeqytetin italian pritet të mbërrijë edhe mbrojtësi Xhanluka Mançini. 23-vjeçari ishte autor i një paraqitje të shkëlqyer me Atalantën në sezonin e kaluar, ndërsa shihet si një nga lojtarët e së ardhmes në repartin defensiv.

/Egi Çabeli-VipSport.al/