Rishfaqet drejtori italian i Partizanit, pas një viti gjen skuadër në Serinë B

Për shumë tifozë të Partizanit, Antonello Preiti nuk do të kujtohet me aq nostalgji, edhe pse përtej Adriatikut ai vlerësohej si një drejtor sportiv i cili ishte në gjendje që të nuhaste talente e rriste vlerën e tyre. Preiti, dikur drejtues në radhët e ekipeve të njohura si Udineze e Parma, nuk la shumë mbresa në eksperiencën e tij njëvjeçare në drejtimin e të kuqve në vendin tonë.

I afruar gjatë verës 2017 për të ndihmuar në krijimin e një grupi të ri, lojtarët e përzgjedhur prej tij rezultuan zgjedhje të gabuara për Partizanin dhe pjesa më e madhe e tyre u largua pa mbushur 6 muaj në vendin tonë. Ata u kthyen në kategoritë e ulëta në Itali apo në vende të tjera nga kishin ardhur pa lënë shenjë. Në verën e kaluar, edhe Preiti u largua pa ceremoni pasi mbylli bashkëpunimin me të kuqtë.

Ai qëndroi një vit pushim, larg futbollit , por më në fund duket se është kthyer përsëri në lojë. Pak ditë më parë, ai ka nisur punën si drejtori i departamentit teknik te klubi i Kremonezes, në Serinë B italiane. Ai do të bëjë skautimin për futbollistët e rinj që nevojiten për ekipin e parë, duke i sugjeruar trajnerit alternativat për lojtarët që ai kërkon si përforcime në pozicione të ndryshme. /vipsport.al/