Reali e ka rrugën e lirë për Pogba, Juventus dorëzohet për francezin

Real Madrid do ta vazhdojë i vetëm rrugën për të fituar shërbimet e Pol Pogba. Mesfushori francez është prej kohësh objektiv i madrilenëve, si dëshirë e trajnerit Zinedin Zidan. Ndonëse, rruga për të mbërritur te Pogba është e gjatë, ‘Los Blancos’ mund të favorizohen nga fakti se Juventusi është tërhequr për shkak të çmimit që pretendon Mançesteri.

Mediat kanë zbuluar se zëvendëspresidenti i bardhezinjve ka informuar agjentin e Pogba, Mino Raiola,  se nuk mund të shpenzojnë shifrën prej 150 milionë euro të kërkuar nga Junajtid. Kështu, italianët i kanë lënë rrugë të lirë Realit, ndërsa do të fokusohen te transferimi në Torino i mbrojtësit Matijs De Ligt.

Sakaq, spanjollët do të duhet të vazhdojnë presionin ndaj ‘Djajve të Kuq’, të cilët nuk i ulin pretendimet. Megjithatë, ajo çfarë mund të ndryshojë rrjedhën e situatës është dëshira e Pogba për t’u larguar. Një fakt, i cili mund ta vendosë Junajtid me shpatulla pas murit dhe t’i detyrojë anglezët për të dëgjuar ofertën e galaktikëve.

/Egi Çabeli-VipSport.al/