Real Madrid ka probleme me afrimet e reja, blerja e bujshme nuk mund të luajë asnjë minutë

Real Madrid ka qenë mjaft aktiv në merkaton e vers duke afruar në skuadër disa futbollistë me emër, nga të cilët pret që të rikthehet në elitën e futbollit dhe të kërkojë trofetë që i munguan këtë sezon. Megjithatë, merkatoja e bërë ka sjellë edhe probleme në kampin madrilen dhe bëhet fjalë për nënshtetësitë e lojtarëve.

Në Spanjë, çdo ekip ka të drejtë të ketë në listën zyrtare vetëm 3 të huaj, të cilët nuk kanë një pasaportë europiane. Kështu, Zidan ka futur në listën me 25 futbollistë Militaon, Vinisiusin dhe Fede Valverden. Kjo, ka lënë jashtë dy afrimet e bujshme të verës, ku Kubo dhe Rodrigo nuk mund të luajnë në këto moment as edhe një minutë të vetme me Realin në ndeshje zyrtare.

Sakaq, në Madrid kanë aplikuar për një pasaportë spanjolle për futbollistin Valverde i cili po bën 5 vjet në Spanjë dhe i ka plotësuar të gjitha kushtet. Letrat tashmë janë në proces dhe pritet që vetëm në shtator të ketë një përgjigje, ndërkohë që deri atë kohë, Rodrigo nuk mund të luajë. Ai do të stërvitet normalisht me ekipin e Realit, por do të mbetet pjesë e skuadrës së Kastijës së bashku me Kubën, ashtu si edhe Vinisius sezonin e shkuar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/