Raporti i UEFA-s për trukime, reagon Kastrioti: Shpifje e ndyrë dhe dashakeqëse

Pak ditë pasi Skënderbeu u dënua për trukim ndeshjesh, një tjetër hetim duket se ka nisur në Shqipëri. Sot është publikuar një faksimile e një raporti konfidencial të nisur nga UEFA në drejtim të FSHF-së, për ndeshjen mes Kukësit dhe Kastriotit. Takimi i mbyllur 3-1 për verilindorët, ka bërë që të dyshohet për trukim, megjithatë, klubi krutan e ka konsideruar një shpifje që synon vetëm të dëmtojë imazhin.

Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare, klubi i Kastriotit shprehet se e gjitha kjo histori është një shpifje dhe se nuk ka asgjë të vërtetë. Ata pretendojnë se kjo po bëhet për të prishur imazhin e klubit dhe se do të drejtohen në organet kompetente për të kërkuar dëmshpërblim për prishjen e imazhit.

Reagimi i Kastriotit:

“KS Kastrioti u njoh mëngjesin e sotëm me një tjetër shpifje të ndyrë dhe dashakeqëse ndaj nesh, nga gazeta “Panorama Sport” dhe palë të “dyta”. Siç tashmë është bërë zakon, kjo gazetë vazhdon të sulmojë vazhdimisht ekipin tonë, për interesa të saja, dhe palëve të dyta që i shërben kjo si gazetë. KS Kastrioti është i hapur të ballafaqohet me çdo fakt që i përket çështjes në fjale, dhe nëse kjo gazetë është aq serioze t’i publikojë të gjitha, dhe ne mbajmë përgjegjësi për gjithçka, po mesa duket kjo   gazetë është e kapur, dhe e vënë në shërbim të dikujt. Ne si klub do i drejtohemi organeve kompetente për prishje imazhi dhe do kërkojmë dëmshpërblim për trillime të tilla. Dhe i themi boll, s’lejojmë askënd të hedhë baltë mbi ne dhe ekipin tonë, në të kundërt do përballet ligjërisht me ne.

T’i vijë turp kësaj gazete që në vend të flasë për garë të rregull sportive që i dhuruam kampionatit vitin e shkuar merret me lajme boshe, ishim pikërisht ne që e zbukuruam Superligën sezonin që u mbyll dhe përfundimin e saj e pranuam me sportivitet, këto janë lajmet që duhet të pasqyrojë kjo gazetë”, shkruhej në reagimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/