Plas te Pogradeci, kapiteni Pere: S’dalim në fushë pa marrë rrogën edhe vjet na gënjyen!

Pogradeci ka qenë një nga ekipet më korrekt sa i përket pagesave të lojtarëve apo dhe trajtimit të tyre. Mirëpo duket se sezoni i shkuar nuk është mbyllur në mënyrën e duhur dhe këtë e konfirmojnë për “Vipsport” edhe titullarët e skuadrës. Sipas tyre, duhej që t’u kalonte me kohë rroga e fundit, por nuk ka ndodhur.

Në prononcimin që ka dhënë kapiteni Pere thotë: “Ne duhej që të ishim likuiduar, sepse sezonin e shkuar kemi dhënë më të mirën për skuadrën. Të gjithë çunat meritojnë respekt dhe jo këtë trajtim. Kampionati ka më shumë se dy muaj që ka përfunduar mirëpo ne ende nuk kemi marrë rrogën e fundit dhe kjo është anormale pasi ne me këto rroga mbajmë familjet tona”, – tha Pere.

Përgatitjet

I pyetur se kur do t’i nisë Pogradeci përgatitjet për sezonin e ri, Pere tha: “Pa marrë rrogën nuk del skuadra në fushë, për këtë ju siguroj. Unë jam kapiten ekipi dhe mendoj se në një mendje me mua janë edhe çunat e tjerë të skuadrës. Klubi të na likuidojë që ne të dalim në fushë. E njëjta gjë ndodhi edhe në sezonin e shkuar, na mbajtën nga një rrogë dhe këtë nuk e kemi të parashikuar në kontratë. Situata po përsëritet edhe sivjet…”.

E ardhmja

Pere ka pasur oferta vazhdimisht, nga skuadra të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Në lidhje me të ardhmen, mbrojtësi shtatlartë ka shtuar në fund se :”Në qoftëse vazhdon kjo situatë te Pogradeci do të largohem,. Këtë nuk e them për presion. Kërkojmë të drejtën tonë. Kam oferta, madje nga ekipe me pretendime në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore”, – tha Miklovan Pere, një nga mbrojtësit e spikatur në Kategorinë e Parë në vitet e fundit.

E.S./Vipsport.al/